Friday, August 19, 2011

Vjeshta




Vjeshta


Me zbehtësinë e zymtë të gjetheve që thahen,
Me ngjyrën gri të qiellit mes reve që shpërndahen,
Me një kujtim të bukur, këtu në zemrën time,
Me shira të rrëmbyer, me erëra e gjëmime,
Ja vjeshta po afron.


Me një petale loti në cep të syve rënë,
Me një pendë dallandyshesh nëpër shtegëtime lënë,
Me një fjalë dashurie, mbuluar me mister,
Me mall e nostalgji për Diellin në pranverë,
Ja vjeshta po rënkon.


Kur era vërshëllen mbi xhama dhe troket,
Kur shiu, lot i qiellit, mbi sytë tona shket,
Vetë vjeshta murmurit me një trishtim ngjyrë gri:
Nuk dua që të kem kaq shumë lot e mërzi,
Vetë vjeshta po loton.


Dhe ikin ditët, javët, pranvera vjen sërish,
Na pëshpërit gjithë gaz plot fjalë dashurish.
Dhe ikën përsëri dhe prapë vjeshta vjen,
Trishtimin, zymtësinë me vete pas i kthen
Kjo vjeshtë që vjen e shkon.