Saturday, August 27, 2011

Për ty, Nëntor



Për ty, Nëntor


Nëntor, ti gjurmën fuqishëm

Në jetët tona e le.
Na sjell lavdinë madhërishëm
Si dritë nga shekujt magjishëm
I pandryshuar ti je.


Ka lënë tek ty zemrën Gjergji

Dhe shpirtin dhe shpatën me të,
Së bashku me thirrjen e tij:
Lirinë nuk jua solla unë – një njeri
Mes jush e kërkoni atë…!


T’u përkul Ismail Qemal fisniku

Me flokë të bardha e me zemrën flakë
Në ditët e tua shpresat kurrë nuk i fiku
Tek ty la shpirtin dhe iku
Pasi na solli flamurin e larë me gjak.


Tek ty u përkulën heronjtë partizanë

Bijtë e bukur që kjo tokë mban në gji
I skuqën javët e tua dhe gjakun e tyre dhanë,
Lotët që derdhe për ta kurrë nuk u thanë
Se jetën e dhanë për liri.


Tek ty ëndërroi Kosova

E dërrmuar, plagosur por me kokën lart.
Ti i solle asaj krahë shqiponje,
I ktheve qëndrimin e vërtetë prej Zonje
Që kurrë s’e humbi, që përjetësisht mbart.


Të lutem une ty sot, Muaj i Bekuar

Të ndrish për ne në keto ditë përsëri.
Të bësh të kuptojmë se liri e kërkuar
Është në mes nesh gjithmonë e praruar.
Ajo do Bashkim, Dashuri, Mirësi.