Friday, August 19, 2011
Shpirti yt – vezullim
Shpirti yt – vezullim
- Avni Rustemit -
Nëpër vite vjen kushtrim përsëri
Zemra jote e madhe, hapi yt, Avni.
Për Atdheun tim – domosdoshmëri
Shpirti yt flamur duhet përsëri.
-------
Vezulloi fort kur Atdheu përbaltej,
Kur toka e shenjtë me tradhëti matej.
Kur shitej, kur blihej si një mall pa vlerë,
Erdhi për t’i sjellë respekt edhe nder.
Plumbi i tij dërmoi veç Esat Toptanit
Gjithë kob – mizorinë që i thurej Vatanit.
Bëri që tradhëtia të vdesë çdo ditë
Erdhi si një ëngjëll, sjellë nga Perënditë.
I dha tjetër emër vendit tënd, vendit tim,
U bë dritë shprese, brezave kushtrim.
Buzëqesh dhe sot, e loton bashkë me ne.
Nën krismat e tij zemra ndryshe rreh…
Krah të fortë i jep Shqipes për liri,
E shfaros tradhëtinë madhështi e tij.