Monday, August 22, 2011
Një fëmije me botë të thyer…
Një fëmije me botë të thyer…
- Pas një vizite të një fëmije 7 vjeçar të abuzuar, të cilit përdhunuesi i kish dëmtuar edhe sytë… -
Ja ku jam para teje
Duke dashur të të mjekoj sytë e bukur
Që ende nuk kanë mbushur 7 vjet
Që kur kanë parë dritën e botës tonë.
Botës së çuditshme, të dashur, të turbullt…
Për ty u bë një botë e egër,
plot lumenj ankthi
Që s’mundem dot me gjithë doktoraturat dhe titujt
Ta kthej për ty në një botë me diell,
me zogj e me këngë,
të ledhatuara nga fllade lojrash, gëzimi dhe malli…
_______
Diçka ajrin e elektrizon dhe e bën të mjegullt.
Kur pas çdo buzëqeshjeje nxirëse,
çdo përkëdheljeje vrasëse,
çdo fjale kurth ngjasuar me folenë e djajve
tek ty individ horror që vret
abuzon, përbuz lumturinë e një fëmije… e të çdo njeriu
është një botë - errësirë.
Teatër, në të cilin asgjë s’mund të depërtojë.
Realitet i egër që merr formën e ferrit
Një shuplakë me forcë të paparë
ndaj ligjeve të natyrës.
Buzëqeshjet – shenja falsiteti,
Fjalët – shenja të mjera injorance,
Përkëdheljet – tmerr nga duart makabre e false.
Ç’gabim po mendove
se gjestet mund të jenë autentike.
E verteta e nxirë
nga një gënjeshtër e gjatë, e gjatë.
Gënjeshtra e të qenurit njeri i vërtetë.
-------
Si mund të mbartet vallë në ndërgjegje
Ky fëmijë me sy të sëmurë që pikojnë
Lot ankthi dhe dhimbjeje?!
Njerëz që kaloni indiferentë ndaj abuzuesve
Ata mund të gjenden këtu buzëqeshur,
mes nesh,
Duke përbaltur dhe përgjakur jetën.
Me fjalë rruge mund të tallen
me ndjeshmërinë njerëzore,
madje duke thurur
edhe ndonje vrer – bejte mizore
a duke ngritur kolesterolin,
të dhjamosur deri në poshtërsi.
Merrni gërshërët e zemrave, njerëz
Dhe me dashurinë për fëmijët tuaj
Kërkoni në vetvete, kurajo, zemër, fuqi,
Coptojini këta gishtërinj që përdhunojnë jetën.