Saturday, August 27, 2011
Harresa dhe subkoshienca
Harresa dhe subkoshienca
Do mrekulloheshe apo do heshtje përlotur,
Do habiteshe vërtet edhe ti…?
Situatë e çuditshme ku dhe ti si unë
Do mbeteshe shtangur e di….
Të them se habitem me veten tani
Kur shoh se si kujtmi yt
I zverdhur, si një foto pa cilësi,
Ngre kryet si i nemitur
Nga përgjumja e përjetshme
Ku, nuk e di se ç’forca të panjohura,
Të padukshme, të ethshme
Mes harresës sime e kanë zhytur.
Nuk kam dëshirë të të kujtoj aspak.
Nuk dua as të dëgjoj ëndrrave fjalët e tua
Në netët pa hënë, pa gjurmë, pa cak…
Vërtet nuk dua, jo, nuk dua…
Por ja, ajo dinakja e madhe, e heshtur
Delikatja , herkuliania trime
Si mikeshë besnike të ka mbetur:
E pagjuma subkoshienca ime!
Ajo bën që të rrëzohet qoftë edhe për një çast
Pushteti magjik i harrimit
Dhe minutat e rënda që vijnë pastaj
Të të blatohen, si të denuar në gijotina flijimi...