Saturday, August 20, 2011
Gjuhës shqipe
Gjuhës shqipe
E bukura, e ëmbla, e lashta gjuha ime
Më lër të të ndjej, të prehem tek ti!
Të mos i kujtoj gjithë përçudnimet,
Barbarizmat, turqizmat, përplot neveri…
Përpjekjet e përditshme si kordhë vrastare
Dua t’i lë pas, në humnerë t’i hedh
Duart që përpiqen të të kthejnë në qyqare
Ty, që shkëlqimin e Diellit përcjell.
E bukura Zonjë, në këtë botë e para,
Gjuha që me këngë bilbilash ligjëron
Kurorë e gjithë gjuhëve, mbretëreshë krenare
Nën tingujt magjikë, Parajsës më fton.
S’mbeti stuhi dhe uragan pa shpërthyer
Kundër teje, por ti je nektar që pastron.
Armiqtë i le pas, në turp të përlyer.
Madhështore, këngën e jetës këndon..
Thellë në shpirtin tënd Zoti krijoi forcën
Që gjithë barbarizmat i djeg, përcëllon.
Nëse sot përpiqen ende të damkosin
Lodhen kot se ti në botë mbretëron.
Alfabetit tënd lejomë t’i përkulem
Gjuhë e madhërishme, që s’pranon vargonj.
Ndjesë të të kërkoj kur nuk bëj sa mundem
Që frymëmarrja e fjalës mendjen të çlirojë.