Rriten fushave të minuara,
Zemërim dhe hakmarrje mbuluar.
Mbillen në varre masive
si ushqim makabër
Për dheun e zi blatuar.
Varur nëpër degë të pemëve
a me një plumb në kokë, si në një çmenduri,
përçudnuar karrigeve elektrike
a me një litar rreth qafës,
pa u kënduar as edhe një elegji.
Nuk janë të ëmbla dhe të lëngshme ato fruta,
Por të përgjakura deri në babëzi.
Nuk i përkasin botës së bimëve
Por asaj të kafshëve
deri në shtazëri.
Farat e tyre janë të forta
Si injoranca që i prodhon.
Kush ushqehet me to nuk sheh njerëz përreth
Por vetëm armiq
Tej e mbanë percepton.
Kush i kultivon nuk pranon më arsye
Por vetëm dhunë gjithkund.
Piqen në një stinë të quajtur luftë,
Stinë e urryer,
që vdekjen përkund.
Përfundojnë ato fruta deri në shtëpitë tona
Në një servis të një propagande vulgare
Dhe kujtohemi se i kemi para syve
Kur ndodhemi befas
nën grackën e tyre tinzare…