Saturday, August 27, 2011
Fjalët që era m’i përcjell…
Fjalët që era m’i përcjell…
Fjalë që bëhen jetë,
Që bëhen s’di se si…
Bëhen pluhur yjesh,
Që bëhen shi,
bëhen kujtime
që bëhen poezi…!
Dhe ndodh që arrin hijeshia e heshtjes
midis nesh papritur…
Hijeshi e mjegullt dhe e thellë,
Si dielli në det, perëndimit duke zbritur.
Ne heshtim
Si të përkundur
nga fjalët tona të munguara
Pjesëmarrës
Në të njëjtën heshtje,
Nën retë e bardha anonime
Që shëtisin si të cunguara
Dhe na mjegullojnë trurin
Pa zë, pa fund, pa anë…
Pasi pasqyrojnë heshtjen
dhe pritjen
në sytë tanë…
Nëse na ndodh
Që do duhet të largohemi
nga njëri – tjetri për pak,
Me siguri do ta bëjmë në një ditë shiu
Që askush të mos arrijë të dallojë lotin
që fytyrën lag…
Ose në një ditë të mjegullt dimri
Që askush të mos arrijë dot
të dallojë zbehtësinë
që vjen ashtu si kot...
Jo, s’e dija se ekzistonte dikush në botë
Për të cilin do kisha kaq shumë dëshirë
T’i ndjeja frymëmarrjen
Murmuritjen e ëmbël dhe të heshtur
Nuk e dija se dikush do më emociononte
Aq shumë
Sa të dëgjoj erën
duke kujtuar fjalët që më thotë.
Era shkon e vjen si fjalët e tij
Pak të pasigurta
dhe plot dashuri.
Era sjell e përcjell fjalët tona të brishta,
Fjalët tona të munguara
Dhe i vesh me buzëqeshjet që lindin
Në momentet që jemi bashkë
Si tinguj këngësh të pakëndura.
Era ndodh që të jetë më inteligjente se ne
Se me shpoti bën lojra të mrekullueshme
Me mendimet e mia të trazuara…